Peeling kimik i lëkurës
Peeling kimik është një proçedurë dermo-estetike që përmirëson rrudhat në lëkurë, aknet dhe shenjat e akneve, njollat. Ajo realizohet nëpërmjet aplikimit të disa llojeve të acideve në lëkurë. Peeling kimik është një proçedurë e përdorur që në kohën e Kleopatrës dhe realizon:
- Eksfolimin e shtresave sipërfaqësore të lëkurës;
- Nxitjen e glucosaminoglukaneve dhe Rimodelimin e fibrave të kolagenit dhe elastinës;
- Depigmentimin e lëkurës;
- Rivitalizimin e lëkurës dhe efekt antiirritues.
Është shumë efektive në trajtimin e akneve dhe shënjave post akne, njollave të errëta të cilat shfaqen me kalimin e viteve, trajtimin e melasmës (njollave të shtatëzanisë), poreve të hapura, çrregullimeve të pigmentit, njollave të shkaktuara nga mosha ose nga ekspozimi i shtuar në diell. Gjatë kësaj proçedure aplikohen agjentë kimikë të cilët realizojnë eleminimin e shtresave të jashtme të lëkurës së dëmtuar.
Pas kësaj procedure lëkura është më e lëmuar, më e tonifikuar dhe më e freskët. Ekzistojnë tre tipe të peeling kimik:
1. Peeling i lehtë, i cili përdoret për të eliminuar (zbardhur) njollat sipërfaqësore dhe eliminuar rrudhat fine;
2. Peeling i mesëm për dëmtime më të rënda të rrezeve të diellit ose dëmtime më të thella të moshës; dhe
3. Peeling i thellë që është një procedure më e rrezikshme e cila përdoret në raste më të rënda.
Mjeku juaj do të përcaktojë së bashku me ju, teknikën më efektive për ju. Sot përdoren me sukses disa lloje të acideve në përqindje të ndryshme si Acid Glikolic, Acid Salicilik, Acid Lactik, Acid TriklorAcetik (TCA), Acid Mandelik ose përzierje te tjera.
”Çfarë rezultatesh priten pas trajtimit me peeling kimik?“
Peeling kimik është një proçedure shumë efektive në minimizimin e rrudhave të holla të lëkurës, shenjave sipërfaqësore, poreve të hapura, njollave të shkaktura nga mosha, njollave në lëkurë dhe çregullime të tjera të lëkurës. Lëkura e re pas kryerjes së proçedurës peeling është një lëkurë më e lëmuar, më e tonifikuar, më me pak probleme të dukshme që ju jep juve një pamje më të re dhe më të freskët. Pas aplikimit të proçedures peeling lëkura juaj është në rigjenerim deri në 2 muaj pas aplikimit pasi fibrat e kolagenit dhe elastinës duan rreth 2 muaj të rimodelohen.
Shumica e pacientëve që i nënshtrohen aplikimit të kësaj procedure janë shumë të kënaqur me rezultatet dhe përjetojnë një përmirësim të dukshëm në paraqitjen e lëkurës së tyre. Në varësi të gjendjes së lëkurës së tyre, të problemit që duan të trajtojnë, të pritshmërive të pacientëve dhe të llojit të proçedurës peeling të përzgjedhur, disa pacientë mund të kenë nevojë për disa seanca peeling dhe përdorimin e llojeve të ndryshme peeling.
“Çfarë ndodh gjatë proçedures peeling?“
Proçedura peeling kimik zgjat rreth 30 – 45 minuta. Anestezia nuk është e nevojshme, por në raste shumë të rralla pacientit mund t’i jepet një sedativ i lehtë në rrugë orale. Së pari realizohet një pastrim i lëkurës me produkte me pH të caktuar. Sytë dhe flokët mbrohen. Produkti që realizon peeling (i përcaktuar nga mjeku dermatolog paraprakisht) aplikohet nëpërmjet një furçe apo aplikatori të pambuktë. Bëhet një ose disa kalime të substancës.
Peeling kimik mund të shoqërohet me disa efekte anësore të pakta. Ju mund të përjetoni ndjesinë e djegies apo pickimit të lehtë ose të mesëm, gjë e cila mund të zgjasë disa minuta gjatë aplikimit të produktit. Menjëherë pas kryerjes së procedures ju mund të keni ndjesinë e djegies nga dielli.
Pas proçedurës peeling lëkura juaj mund të skuqet ose të enjtet lehtë gjatë ditës së parë dhe të dytë. Mund të keni ndjesinë e tërheqjes në lëkurë dhe skuama (rrjepje) të lehta mund të vërehen 2 – 5 ditë në vazhdim. Mund të keni ndjesinë e kruajtjes së lehtë gjatë proçesit të rigjenerimit të lëkurës. Këto ndjesi në lëkurë mund të përmirësohen gjatë proçesit të rigjenerimit nëpërmjet përdorimit të larësve special dhe aplikimit të kremrave të rekomanduar nga mjeku juaj. Lëkura juaj mund të ketë përskuqje shumë të lehtë (sigurisht në varësi të tipit të peeling që është zgjedhur) gjë e cila venitet me kalimin e javëve. Gjatë aplikimit të proçedurave peeling pacienti duhet të përdorë krem dite me faktor mbrojtes ndaj diellit (spf) dhe të evitojë ekspozimin direkt në dritën e diellit.
”Pregatitja për proçedurën peeling“
- Ndiq me përpikmëri skemën e pregatitur nga mjeku juaj. Kjo mund të përfshijë përdorimin e kremrave me acid retinoik (Retin A) ose kremra me AHA e BHA për një periudhë deri në një muaj përpara aplikimit të peeling kimik. Kjo parapërgatitje maksimalizon efektet e proçedurës peeling, shkurton proçesin e shërimit të lëkurës dhe minimizon efektet anësore.
- Përdor medikamentet e përshkruara përpara trajtimit. Këto mund të jenë antibiotikë, antiviralë nëse ju keni histori personale per Herpes.
- Përdor qetësues në se nuk duroni dhimbjen.
- Mos vendosni makeup ditën e procedurës dhe qerpikët të mos jenë të lyer me mascara. Laj flokët një natë përpara procedurës ose atë ditë në mëngjes.
- Ju mund të hani një mëngjes ose drekë të lehtë ditën e procedurës. Mos pini alkool. Nëse keni lente kontakti duhet ti hiqni ditën e procedurës.
- Diskuto më parë me mjekun tuaj nëse keni histori të infeksionit Herpes, ose histori alergjie ndaj ndonjë mjekimi.
”Në vazhdim“
Mos u alarmo nëse vëren enjtje përreth syve apo gojës, kjo situatë qetësohet gradualisht pas 1-2 ditëve. Netët e para mund të aplikoni që të flini me një jastëk më shumë per të mundësuar uljen e edemës.
Për të qetësuar ndjesinë e dhimbjes, në varësi të nevojës ju mund të merrni Paracetamol deri në 4 tableta ne ditë. Mos përdor Aspirinë apo Ibubrofen.
Ndjesia e djegies mund të zgjasë për disa orë por qetësohet gradualisht. Vazhdo përdorimin e mjekimeve sipas përshkrimit të mjekut.
Lëkura juaj e re mund të shfaqet e përskuqur dhe kjo është normale.
Lani duart përpara se të prekni lëkurën tuaj.
Përdor krem hidratues me faktor mbrojtës spf të rekomanduar nga mjeku në mënyrë që lëkura të hidratohet sa më shumë gjatë ditës.
Riapliko kremin hidratues gjatë natës.
Ju mund të bëni dush në mënyrë frekuente.
Mos përdor sapun ose larës të fortë derisa lëkura juaj të shërohet.
Mos përdor krem me acid retinoik ose AHA dhe acid glikolik derisa lëkura juaj të jetë shëruar plotësisht.
Evito fërkimin ose prekjet e panevojshme të lëkurës.
Evito ekspozimin në të ftohtë për dy javë. Lëkura e re pas peeling është shumë delikate.
Gjatë ditës përdor krem me faktor mbrojtës spf minimum 15.
Ekspozimi direkt në dritën e diellit duhet të evitohet për të paktën 3 muaj, pasi lëkura është shumë fotosensibile dhe mund të shkaktojë pigmentime të reja. Kjo është shumë e rëndësishme.
Proçedura juaj e rradhës për procedurën peeling mund të planifikohet pas 2 javësh deri në 1 muaj (në varësi të tipit peeling).